3 Prioritete

  • Tirana, SHTËPIA JONË
    mbrojtja e mjedisit dhe ekonomisë.

  • BASHKËQEVERISJA me qytetarët, delegimi i kompetencave.

  • TRANSPARENCA & EFIÇENCA e Bashkisë 24/7 për 365 ditë.

LP Campaign-Slogan2


SHTYLLAT E PROGRAMIT PËR RIMËKËMBJEN & MIRËQEVERISJEN E TIRANËS


PERSPEKTIVË


Një vizion i zhvillimit të qëndrueshëm të Tiranës: 

  • mbron trashëgiminë historike, si pasuri e qytetit;

  • përcakton standarte të urbanistikës & ndërtimit, të cilat garantojnë cilësi të jetës & shërbime efikase për qytetarët dhe komunitetin.


Planifikimi dhe zhvillimi urban do të orientohet nga dy instrumenta madhorë të përpiluar përmes një proçesi të gjerë konsultimi me ekspertë, arkitektë & urbanistë, krijues & artistë shqiptarë në vend dhe diasporë:

1. Harta e Trashëgimisë & Vlerave Identitare, që do mbrohen, restaurohen dhe jetëzohen.

2. Harta e Densitetit të Popullsisë në raport me Shërbimet aktuale, apo ato potenciale, që mundëson një lagje, apo zonë.

Për institucionalizimin e tyre do të zhvillohet Referendum Qytetar si një praktikë e demokracisë direkte & pjesëmarrjes qytetare në vendimarrje, që shënojnë të tashmen dhe të ardhmen e qytetit.

Risi për mirëqeverisjen vendore do të jetë krijimi i Këshillit të Diasporës, si një strukturë me atribute të konsultimit & të vendimmarrjes për buxhetin bashkiak, e cila do t’i shërbejë forcimit të rolit të diasporës në zhvillimin e Kryeqytetit.


MIRËQËNIE


Shteti
është, ose në funksion të pushtetit, ose në funksion të qytetarit. Çfarë kemi bërë për qytetarin?

Tirana meriton punë me përkushtim & plan të qartë për ngritjen nga fundi i renditjeve botërore për cilësinë & kostot e jetesës, përfshirë këtu parametrat e transportit, mjedisit, edukimit, shëndetit publik, mbështetjes sociale dhe shërbimeve administrative.

Programi ka në zemrën e vet punën në Lagje, për ndërtimin e Tiranës së banorëve dhe komuniteteve, jo atë të fasadës dhe propagandës.

Në secilën njësi bashkiake do të nisë zbatimi i punimeve për nevoja emergjente & investime të konsultuara me komunitetin për sistemimin dhe rikualifikimin e hapësirave të komunitetit & infrastrukturës në lagje – duke përfshirë kanalizimet, shtrimin e rrugëve të brendshme, disiplinimin & optimizimin e parkimit, ndriçimin, ndarjen për riciklim & grumbullimin e mbetjeve, si edhe shfrytëzimin maksimal për gjelbërim dhe hapësira sportive dhe shlodhëse.


DINJITET & RESPEKT


Dinjiteti dhe respektimi i të drejtave të Qytetarit dhe Komuniteteve, do të jenë gurthemeli i mirëqeverisjes së Tiranës, e cila vendos qytetarin në qendër dhe jo interesat klienteliste, garanton pronën private si të shenjtë, mbron pronën & interesin publik me përgjegjshmëri, përfshin banorët dhe komunitetet në dëgjesa & vendimmarrje për zhvillimin e qytetit, si edhe garanton shërbime cilësore & menaxhon me transparencë dhe efiçiencë burimet institucionale.

Auditimi i aferave të korrupsionit, shpërdorimit të fondeve dhe dhunimit të pronës -përfshirë çështje të njohura si, Inceneratori dhe Pylli Orbital të paqenë – do t’i shërbejë ndëshkimit të abuzimeve & vendosjes së standarteve të reja të përgjegjësisë institucionale. 

Lajla Pernaska-rollup-web


PRIORITETET STRATEGJIKE TË PLATFORMËS PËR ZHVILLIMIN E TIRANËS


1. Tirana, Shtëpia jonë
mbrojtja e mjedisit dhe ekonomisë


Tirana është Shtëpia jonë, nuk është thjesht një parim edukativ, por është një parim administrimi pra mirë-menaxhimi për qytetin, ashtu siç qytetarët mirë-administrojnë shtëpitë e tyre.

Çdo njëri nga ne, shtëpinë e vet e do akull të pastër, e do të bukur, e do të rehatshme, e do dhe pragun e derës mundësisht ta ketë më të bukurin, por ama mbas pragut të derës së shtëpisë së vet hedh plehrat. Për këtë ka nevojë për ndërgjegjësim qytetar, pasi Tirana, i gjithë qyteti, është shtëpia jonë.

Buxheti i Bashkisë duhet të jetë i llogaritur si buxheti për shtëpinë e çdo qytetari dhe duhet të mirë-menaxhohet ashtu si çdo qytetar mirë-menaxhon buxhetin e shtëpisë së vet. Ne në shtëpinë tonë duhet të dimë sa harxhojmë dhe për çfarë?
Punët e Bashkisë bëhen për të disatën herë, me lekët e kujt? Çfarë kuptimi ka një gjë e tillë? Kemi një shpërdorim parash shumë të madh. Këtu transparenca ka shumë rëndësi pasi kemi shumë raste kur shpenzimet e Bashkisë shkojnë dyfish më shumë nga çfarë është menduar. Çdo qytetar duhet të dijë me detaje harxhimin e parave të Bashkisë për Tiranën, ashtu si i di për shtëpinë e tij.

Unë e shoh qytetin si familje, duhet të administrohen punët si në familje. Pse vetëm 10 biznesmenë do e drejtojnë Tiranën?!
Unë do i mbledh bizneset që janë taksapagues të rregullt, që të përfshihen të gjithë në një garë të hapur pë punët publike të Bashkisë. Të gjithë qytetarët paguajnë taksa për Tiranën dhe kanë të drejtë të përfshihen në punët e Tiranës.
Në këtë mënyrë do mbështeten me prioritet bizneset e vogla për të rritur mirëqënien e qytetit (*per më tepër shikoni Strategjinë e Biznesit).

- Përkujdesja & Sistemimi për hapësirat në lagje, me qëllim shfrytëzimin maksimal për “pyka të gjelbërta”.

- Mbrojtja e Liqenit Artificial të Tiranës si mushkëria kryesore për frymëmarrjen e qytetit. Duhet të ruajmë me fanatizëm këtë hapësirë të gjelbër.

- Ngritja e infrastrukturës së serave pranë një numri shkollash (sipas hapësirave të mundshme), si pjesë e një programi inovativ, për edukimin mjedisor & qytetar, duke shërbyer këto sera si fidanishte, për lule dekorative për qytetin.


- Mbështetja e fidanishteve vendase për mbjelljen e varieteteve lokale të pemëve dhe krijimin e vendeve të punës në Tiranën rurale.

- Përmirësimi i cilësisë së ajrit, përmes disiplinimit të kantiereve të ndërtimit, ndërhyrjeve për uljen e trafikut & kontrollin rigoroz të emetimeve të mjeteve private dhe të transportit publik.

- Riciklimi si orientim strategjjik, për një menaxhim të mbetjeve, që minimizon impaktin mjedisor & gjeneron vlerë ekonomike.

- Krahas ngritjes së infrastrukturës së duhur për ndarjen & grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në lagje, Bashkia do aplikojë një skemë incentivimi financiar.

- Pastrimi i qytetit me mjete me volumetri më të vogël & shërbim më të shpeshtë në grumbullimin e plehrave.

-Aplikimi i “filozofia e gjelbër” dhe për ndriçimin e qytetit me energji solare.


2. Bashkëqeverisje
delegimi i kompetencave,
shërbimi pranë qytetarit


Bashkëqeverisja është thelbi i një demokracie funksionale dhe ajo realizohet vetëm përmes delegimit të kompetencave për gjithëpërfshirje dhe efikasitet.

Tirana u bë metropol duke ju hequr kompetencat Mini-Bashkive dhe duke i përqëndruar ato tek Bashkia e Tiranës. Përqëndrimi nuk sjell progres.

Duhen frocuar kompetencat e administratorëve lokal me shërbime afër qytetarëve.

Të marrim një shembull: Pse një qytetar që jeton në Dajt duhet të shkojë për lejen e avllisë (murit rrethues) në Bashkinë e Tiranës?

Gjithashtu do mbështetet jo vetëm këshillimi publik por dhe debati publik me qytetarët për bashkëqeverisje reale me to.

- Koncepti i pjesëmarrjes në qeverisje, lidhet me të drejtat qytetare dhe qeverisjen demokratike. Në Bashkinë e Tiranës, kjo do të arrihet përmes mekanizmave të ndryshme, më qëllim përmirësimin e qeverisjes vendore.

- Do organizohen referendumet lokale për çështjet me rëndësi.

- Aplikimi i disa formave më të drejtpërdrejta të pjesëmarrjes në vendimarrjen lokale, forcon demokracinë, sjell drejtësi sociale dhe zhvillim pro kategorive në nevojë.

- Organizimi i Forumeve me pjesëmarrjen e qytetarëve (jo thjesht të militantëve partiakë, siç ndodh rëndom), si një mekanizëm ku zyrtarët lokalë, qytetarët, përfaqësues të OJF-ve, të biznesit dhe sektorëve të tjerë, takohen, diskutojnë hapur çështjet lokale dhe kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve.

- Inkurajimi i grupeve të vullnetarëve në çdo zonë, për të ndihmuar stafin e Bashkisë me raportime rreth problematikave të ndryshme në Tiranë, të cilët mund të bëjnë raportim online, si dhe të ftohen për raportime të hapura në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

- Hapja e bashkëbisedimit dhe ndaj propozimeve nga qytetarët, në përgatitjen e projekt buxhetit të bashkisë.


3.Transparenca & Efiçenca
e përdorimit të fondeve,
taksave dhe tenderave të Bashkisë 24/7


Po aq e rëndësishme sa TRANSPARENCA se si merren dhe përdoren fondet, taksat dhe tenderat e Bashkisë, është edhe EFIÇENCA se ku po shkojnë këto fonde të mbledhura.

Kjo duhet të jetë e aksesueshme 24/7 për 365 ditë, nga të gjithë qytetarët, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kemi rezultat sipas parimit tonë Transparencë & Efiçencë

- Krijimi i aksesit për qytetarët 24/7, në 365 ditë të vitit, nëpërmjet sigurimit të komunikimit online 24/7 për çdo qytetar, që kërkon të raportojë një problem, apo të aksesojë buxhetin dhe përdorimin e tij nga Bashkia, si dhe çdo aktivitet të Bashkisë.

- Tenderimi i hapur për çdo kompani të interesuar për të bërë biznes me Bashkinë. Kjo proçedurë mjaft e kritikuar, duhet të pësojë një NDRYSHIM substancial, në respektimin e proçedurave të hapura, sipas ligjit.  STOP TENDERAVE me DYER të MBYLLURA.

- Tenderimi i hapur i lejon çdo qytetari të interesuar të marrë informacion për proçedurën. Pasi përzgjidhet kompania, brënda 2 javëve Bashkia bën verifikim të punëve të kryera nga kompania fituese. Vetëm pas kësaj, mbyllet proçedura e përzgjedhjes përfundimtare e kompanisë fituese. Në të kundërt, vazhdohet me kompaninë në rradhë të selektuar.

- Monitorim serioz nga ana e Bashkisë, gjatë kryerjes së punimeve nga ana e kompanisë së kontraktuar.

- Përmirësimi i Formave të llogaridhënies të çdo Drejtorie, për një transparencë të plotë me qytetarët.

- Akses i plotë i qytetarëve për projektet e investimit dhe zhvillimit, që kryen Bashkia në çdo sektor.


4. Trashëgimia
historike & kulturore


Ka Tirana identitet? Po, por me këto kulla që po e mbysin qytetin çfarë po ndodh me këtë identitet?
Sa vende me vlerë historike vazhdojnë të eksiztojnë dhe të ruhen?

Ruajtja e IDENTITETIT të Tiranës është prioritare sot më shumë se kurrë me ndërtimet e reja të pa planifikuara mirë që janë bërë dhe po bëhen në kryeqytetin tonë.

- Përgatitja e Hartës së Trashëgimisë së Tiranës, për të evidentuar mozaikun e vlerave arkitekturore, që duhet të mbrohen, restaurohen dhe jetëzohen – nga shtëpitë e muret e qerpiçit qindvjeçar, tek vilat elegante dhe deri tek rrugica, që ende ruajnë tiparet e Tiranës së hershme.

- Aplikimi i parimit të transferimit të densitetit të ndërtimit, me qëllim inçentivimin e ruajtjes së trashëgimisë dhe mosdiskriminimin e komuniteteve autoktone nga dobitë potenciale të zhvillimit të pronës.

- Ngritja e Muzeut të Historisë së Tiranës, në shërbim të edukimit të brezave të rinj & si një atraksion i spikatur turistik i Kryeqytetit.


5. Transporti, Qarkullimi Rrugor & Parkimi


Transporti është kosto shërbimesh (kohë dhe karburant), dhe kjo kosto është bërë problematike për qytetarët e Tiranës.

Planifikimi i transportit të qytetit bëhet mbi bazën e një logjike dhe studimi. Çdo qytet zhvillohet me unaza dhe gjithmonë bulevardet kryesore të qyteteve të mëdha si Parisi, Londra, Milano, Viena, janë shkarkues të trafikut. Tiranës i mungon një logjikë transporti. Bllokimi i Sheshit Skënderbej dhe rruga e Durrësit me një sens nuk kanë logjikë. Ky është një problem, që zgjidhet me urbanistët, duke planifikuar transportin funksional në qytet. Transporti publik dhe urbanizimi shkojnë në të njëjtën linjë. 

- Do të bëhet studimi paraprak dhe planifikimi i qarkullimit, mobilitetit, infrastrukturës rrugore dhe asaj mbështetëse, duke rishikuar dhe planin e përgjithshëm vendor të Tiranës.

Ne do kthejmë transportin publik në prioritet për të gjithë qytetarët.

- Eliminimi i “Efektit Tapë”. Bllokimi i trafikut bën që të konsumohet shumë më tepër karburant dhe kjo rëndon direkt në xhepat e secilit nga ne. Ky abuzim me karburantin dhe transportin duhet të mbarojë. 

- Studimi i pikave të rënduara të trafikut, për mundësinë e ngritjes së nënkalimeve, apo mbikalimeve.

- Ndërhyrje energjike për përmirësimin e qarkullimit përmes zhbllokimit të “grykave të shisheve” dhe disiplinimin e kantiereve, që zvarrisin punë publike, apo ndërtime private.


- Ndërtimi i një mbikalimi që fillon nga zona e Gardës dhe lidhet direkt në unazë (mbi rrugën Kristo Frashëri).

- Ndërtimi i një mbikalimi në rrethrrotullimin pranë Fakultetit Ekonomik.

- Projekt për një nënkalim që fillon nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, nën sheshin Skënderbej, poshtë rrugës së Durrësit, që vazhdon me daljen në rrugën Dritan Hoxha.

- Zbatimi i afateve për përfundimin e projekteve të rrugëve. Këto firma sipërmarrje a e kanë një kontratë me afate? Pse nuk zbatohen këto afate? Do ketë monitorim rigoroz të të gjithë zbatimit të projekteve për çdo firmë që nën-kontraktohet nga Bashkia.

- Projekte afatgjata të mirëmenduara. Në realitetin e Bashkisë së sotme kemi shumë raste ku punët bëhen nga 2 herë.
Planifikimet dhe investimet duhen bërë afatgjata dhe me vizion për të ardhmen e qytetit, në mënyrë që mos shpërdorohen paratë dhe të krijohet vlerë për qytetarët. 

- Sinkronizimi i semaforëve mënyrë të tillë të mjetet të qarkullojnë në mënyrë të rrjedhshme dhe të eliminohet trafiku.

- Pajisja e Tiranës me flotë autobuzësh me standarte ekologjike & të efiçiencës dhe të përshtatshëm për infrastrukturën rrugore (përfshirë heqjen nga qarkullimi të autobuzëve ‘fizarmonikë’).

- Shërbim me orare të shpeshtuara dhe biletë të unifikuar elektronike.

- Ngritja e një sistemi online i hartave dhe transportit publik të përditësuar në kohë reale për oraret e autobusave të lidhur me Google Maps.

- Optimizimi i itinerarëve të transportit publik, për të maksimizuar qasjen nga komunitetet & për të minimizuar impaktin në trafik.

- Ridimensionimi i këtij shërbimi, nëpërmjet garës dhe rritjes së standartit.

- Optimizimi i sinjalistikës rrugore

- Sistemimi i lagjeve për të optimizuar hapësirën komunitare & vendet e parkimit.

- Mbështetja e ekonomisë familjare, që po falimentojnë, nga vendosja e rrugëve të biçikletave dhe hekurave. Gjithashtu ato kanë rënduar edhe trafikun, duke ngushtuar 40% të rrugës, të cilat do të studiohen për të çliruar lëvizshmërinë në qytet.

- Parkingjet nëntokësore dhe gjithë pallatet e reja ta kenë me detyrim, që të kenë një sasi katesh parking për banorët.

- Të zgjatet ora për vlerë për parkingun publik, nga 1 orë të bëhet 2 orë për të njëjtën vlerë.

Hapësira për parkimin e makinave me kate

- Ndërgjegjësimi dhe kontributi i qytetarëvë, për të mos përdorur makinën, kur është e mundur në distanca të shkurtra brenda qytetit.

- Rishikimi i orareve të kufizimeve të lëvizjeve të automjeteve të transportit për bizneset pa i penguar ato.


6. Biznesi


Do mbështeten me prioritet bizneset e vogla për të rritur mirëqënien e qytetit. Nuk do paragjykohen bizneset e mëdha, por do operojnë në të njëjtën linjë, me të njëjtat mundësi edhe bizneset e vogla.

- 0 taksa bashkiake për bizneset e reja për 3 vitet e para dhe mbështetje direkte me paketa ligjore dhe fiskale.

- 0 taksa bashkiake për profesionistët e lirë dhe nomadët dixhitalë për 3 vitet e para.

- Mbështetja dhe zhvillimi i Agro-Biznesit, si pikë me rëndësi të madhe startegjike për zhvillimin e qytetit. (* për më tepër shiko Strategjinë Nr.7 Agro-Tirana)

Bashkia e Tiranës, në vitin 2023 do të arkëtojë 140 milionë euro nga taksat dhe tarifat, sipas projektbuxhetit të vitit 2023.
Ky është niveli më i lartë rekord i pritshëm dhe është 14% më i lartë sesa parashikimi i vitit 2022.

Duke përfshirë dhe transfertat nga pushteti qendror buxheti, që do të ketë në dispozicion Bashkia e Tiranës në vitin elektoral do të jetë një rekord prej 246 milionë euro, ose 22% më shumë sesa 2022.

Rreth 34% e të ardhurave të Bashkisë do të vijnë nga lejet e ndërtimit.

Këto të ardhura duhet të përdoren në mënyrë strategjike, që ta bëjmë Tiranën, kryeqyteti që do të përzgjidhet nga të gjithë për të jetuar dhe jo për t'u larguar. 

- tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte,  për projektet e zhvillimit të Tiranës.

- tërheqës dhe mbështetës për Start-Up-et, duke i mbështetur ato me incentiva, grante dhe asistencë.

- mbështetëse për Inovacionin, duke krijuar qendra për zhvillimin e inovacionit, duke nxitur bizneset e reja në këtë fushë.


7. Agro–Tirana


Tirana është metropol, 70% e aktivitetit ekonomik zhvillohet këtu dhe ka nevojë që të konceptohet si njësi ekonomike.

Tirana ka nevojë të mbështetet me Agro-Biznes, çfarë do hamë, vetëm import? Ne i kemi të gjitha kapacitetet për ta bërë Tiranën qendër të agro-biznes me standarde europiane.

Të orientojmë sipërmarrësit drejt zhvillimit të tokës, jo vetëm në ndërtim, por në mbjellje, kultivim, përpunim të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Jo vetëm për të përballuar nevojat e tregut, por të rrisim eksportet drejt vendeve të BE. 

- Zhvillimi i sinergjisë mes Tiranës rurale dhe asaj urbane, në dobi të mirëqenies dhe punësimit në fshat dhe qytet.
 Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, ku një banor i lagjes 1 në Tiranë të shkojë të punojë në Baldushk, dhe jo vetëm nga fshati të zbresin në qytet. Rikonstruksioni i rrugës së Ndroqit, si projekti i parë i infrastrukturës rurale.

- Investim prioritar në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në gjithë territorin e Tiranës.


- Ngritja e magazinave frigoriferike të Bashkisë për prodhimet e zonave rurale, me pagesë qeraje, pas shitjes së mallit.


- Modernizim i sistemit vendor të këshillimit, për orientimin e kultivimit të varieteteve bujqësore, në përputhje me kërkesat e tregut lokal dhe eksportit.


- Zgjerim i skemës së granteve për bujqësinë & agro-përpunimin, që i përgjigjet kërksave të tregut të banorëve rezidentë & sektorit të turizmit në Tiranë.

- Këshillim dhe mbështetje fermerëve, për përfitimin e granteve për bujqësinë nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë.


- Ngritja e një skeme furnizimi me prodhime lokale, të rrjetit të mensave në arsimin parashkollor dhe institucione të përkujdesjes sociale.

- Zgjidhja e kushteve të tregut për fermerët ambulantë, që detyrohen të shesin “si klandestinë” prodhimet e punës e djersës së tyre.

- mbështetëse për fermerët duke i dhënë garancinë e shitjes së prodhimit të tyre për të minimizuar riskun.

- hapja e një burse online për produktet e fermerëve në kohë reale, për secilën nga zonat e Tiranës, që qytetari të ketë mundësi zgjedhje dhe informacion në kohë reale për produktet në të gjithë Tiranën dhe t'i krahasojë ato lehtësisht. 

- Krijimi i kooperativave bujqësore në kontekstin e tregut të lirë. Një zonë e caktuar bujqësore incentivohet për të prodhuar produkte të caktuara të cilat grumbullohen në pika grumbullimi shtetërore përkundrejt një çmimi të caktuar të paravendosur çdo vit. Kjo gjë nuk e heq pavarësinë, që ka çdo qytetar, që të prodhojë çdo produkt tjetër bujqësor, që e sheh të arsyeshme.


8. Rritja e Efikasitetit të Bashkisë për zhvillim


- Përdorimi i koefiçientit të efikasitetit, si një tregues i rëndësishëm i punës së Bashkisë dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit.

- Matja në vazhdimësi e koefiçientit të efikasitetit për marrëdhënien Bashki-Qytetar, të çdo departamenti të Bashkisë, në bazë 3 mujore, 6 mujore dhe 1 vjeçare. Kjo arrihet në bazë të përpunimit të të dhënave, që vijnë direkt nga qytetari (si p. sh. koha nga marrja e ankesës nga qytetari, deri tek përgjigjia, dmth zgjidhja e problemit), brenda 7 ditëve për probleme të vogla dhe brënda 15 ditëve për probleme serioze.

Matja e këtij koefiçienti është kyç për vlerësimin e efikasitetit në punë dhe ndërhyrjen emergjente, për të pastruar bashkinë nga parazitizmi dhe inefiçienca.

- Me MOTON Monitorim & Efiçencë, drejtorët e departamenteve, do shpenzojnë më shumë kohë në terren, përfshi dhe Kryetarin e Bashkisë, jo thjesht për foto e për të prerë shirita, por për të kontrolluar cilësinë e punës dhe të raportojne mbi progresin e tyre çdo javë, Kryetarit të bashkisë.

- Punonjësit paguhen nga taksat tona dhe çdo mungesë korrektësie në komunikim direkt me qytetarin, do të çojë çdo rast, në penalizim administrativ (deri në pushim nga puna, pas tre paralajmerimeve). 

- Zgjerimi i teknologjisë në të gjithë sektorët.

- Decentralizimi i shërbimeve dhe ankesave.


9. Ulja e taksave
të Bashkisë


Bashkia e kryeqytetit duhet të ketë një politikë mbështetëse dhe lehtësuese për qytetarët dhe sipërmarrjet e tyre.

- Të ulet taksa e infrastrukturës arsimore, që të mbështeten bizneset e vogla, por edhe ato të mëdhaja, që kanë disa NIPT-e, që të mos paguajnë njëlloj për secilin NIPT, siç është aktualisht.

- Taksa e pastrimit do ishte në rregull nëse do pastrohej realisht në çdo rrugë të lagjeve të qytetit.

- Çmimet e papërballueshme të ndërtimit, një faktor i rritjes së çmimit është taksa që Bashkia merr rreth 12% taksa (~9% taksa e ndertimit dhe 3% taksa për strehimin e të pastrehëve) dhe e merr në fillim, gjë që rrit koston e ndërtimit në dëm të tregut dhe konsumatorit. Kjo taksë do të ulet në 50% dhe do të arkëtohet 50% në fillim dhe 50% në fund, mbas shitjes së objektit, që të lehtësohet tregu dhe të ulen çmimet e shitjes.

- 3% është taksa për strehimin e të pastrehëve, e cila do të adresohet me rigorozitet dhe transparencë në shërbim të shtresave në nevojë.


10. Urbanistika

Tirana, nuk është vetëm qendra.


- Përgatitja e një memorandumi ndërinstitucional, që të mos ndërhyet në hapjen e rrugëve nga një projekt tek tjetri.

- Studimi i çmimit të investimit për infrastrukturën rrugore.

Harta e Dendësisë së Popullsisë në raport me Shërbimet aktuale, apo potenciale, që mundëson një zonë:
- për një perspektivë zhvillimore në mbrojtje të trashëgimisë, që rrezikon të zhduket.

- për ndalimin e ndërtimeve në zonat me densitet të skajshëm dhe në prag të kolapsit urban.

- orientimin e zhvillimit të mëtejshëm të Tiranës, në përputhje me standarte rigoroze për hapësirat komunitare & qasjen në shërbime.

- Investime prioritare në infrastrukturën e brendshme të lagjeve, përfshirë të rrugëve, kanalizimeve, hapësirave komunitare për gjelbërim dhe rekreacion.

- Standarte për mini-tregjet në zonat rezidenciale & tregjet e shitjes me shumicë në territorin e Tiranës.

- Heqja e kabllove ajrore (telefonike, elektrike, të internetit) e përmes shtrimit të tyre nëntokë në bashkëpunim me kompanitë përkatëse.

- Jetëzimi i rrugës Rinas-Tiranë me dy rrjeshta pemësh paralele, i pari më i ulët dhe i dyti më i lartë (propozim nga arkitekti francez Jean-Michel Wilmotte.)

- Aplikimi i teknologjive të informacionit & platformave inovative dixhitale për një “Tiranë të Zgjuar” (Smart City), të cilat mundësojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve & mirëqenies së qytetarëve.


11. Furnizimi me
Ujë të Pijshëm


- Vlerësimi i burimeve ujore, në territorin e Bashkisë së Tiranës. Të mirëmenaxhohen këto burime si dhe sistemi i shpërndarjes.

- Maksimizimi i furnizimit me ujë të pijshëm në 4-vjeçarin e ardhshëm. Fabula e ujit të pijshëm 24 orë, që ka 2 dekada, që përsëritet në çdo fushatë elektorale, është ende utopike.

- Eliminimi i humbjeve nëpërmjet uljes së nformalitetit (shkëputja e lidhjeve të paligjshme) dhe uljes së humbjeve teknike.

- Eliminimi i depozitave, duke i hequr nga taracat e pallateve.

- Mirëmenaxhimi i ndërmarrjes së ujësjellesit në të gjitha nivelet e strukturave të saj, duke operuar dhe funksionuar si biznes (si sh.a që është).


12. Tirana Sociale


- Rritja e buxhetit për ndihmën sociale, bazuar në një skemë alternative ndaj pikëzimit.

- Vlerësimi i nevojave për kategoritë e margjinalizuara të grupmoshave të ndryshme dhe garantimi i aksesit, transparencës, si dhe referendume lokale për përfshirjen e tyre në vendimmarrje.

-Shërbimet e Bashkisë do të ofrojnë mundësi për të gjitha shtresat e margjinalizuara, që askush të mos diskriminohet për asnjë arsye.

- Sistemimi me prioritet në banesa të reja të banorëve të prekur nga tërmeti.

- Përmirësimi i skemës së strehimit social & bonusit të qerasë, për shtresat e margjinalizuara.

- Plakja e popullsisë, kthimi i vëmendjes tek mosha e tretë, është imperative. Të bëhet organizimi i qendrave komunitare për këtë grup-moshë, të modelit “Shtëpia e dytë”, me iniciativa të bashkëpunimit Bashki-Biznes- Shoqëri civile-Donatorë.

- Përgatitja e kritereve për qendra ditore dhe residenciale.

- Hapja e qëndrave të shëndetit mendor për uljen e depresionit dhe ankthit të qytetarëve.

- Ulja e barrës fiskale për kompanitë, të cilat punësojnë qytetarë me aftësi ndryshe.

- Kartë transporti falas, për grupmoshën mbi 65 vjeç.

- Një qasje e re ndaj komunitetit të biznesit (vendas dhe të huaj) në Tiranë, duke i bërë të interesuar me lehtesim taksash, për investime në shërbim të komunitetit.

- Gjithëpërfshirje për P.A.K (personat me aftësi të kufizuara) të shtohen rampat në trotuare, sinjalistikë audio nëpër semafore, pllaka për të verbër.


13. Arti & Kultura


- Rritja e financimeve për artin.

- Ngritja e Muzeut të Artit Bashkëkohor në një zonë periferike të Tiranës, për t’i dhënë jetë një vizioni afatgjatë të krijimit të poleve të ndryshme të qytetit & gjallërimit të komuniteteve lokale.

- Ringritja e Cirkut të Madh të Tiranës.

- Krijimi i dy qendrave multi-funksionale në zonat rurale, me infrastrukturën për aktivitete artistike & kulturore, hapësirë bibliotekë & studimi, si dhe hapësirë kinemaje.

- Ndërtimi i pikave informuese për turistët, në mënyrë që të lehtësohet marrja e informacioneve për atraksionet turistike më të mira në Bashkinë e Tiranës. 

- Përkrahja e shtresave në nevojë dhe e personave me aftësi të kufizuar në fushën e artit & kulturës në mënyrë që të jetë i integruar në komunitet.

- Krijimi i një teatri variete, musical për Tiranën.


14. Gratë & Vajzat


- Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave, një prioritet nëpërmjet lehtësimit të hapjes dhe zhvillimit të sipërmarrjeve të tyre, duke bërë taksat bashkiake 0 për 3 vitet e para të punës.

- Krijimi i zyrave të shërbimit nga Bashkia për asistencë ligjore dhe kontabiliteti falas që të ketë lehtësim për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

- Mbështetja e formimit profesional & zgjerimi i skemës së granteve për sipërmarrje nga gra kryefamiljare.

- Mbështetja me grante e sipërmarrjeve të grave në zonat rurale.

- Hapja e një hapësire publike për aktivitetin e grave artizane, ku mund të shesin prodhimet e tyre.

- Lehtësimi i proçedurave për strehimin e grave në nevojë dhe rritja e buxhetit për këtë kategori, (jo fonde për inçeneratorët).


15. Të Rinjtë


- Zgjerim i paketës mbështetëse për blerje shtëpie nga çiftet e reja, me kredi të buta.

- Ofrimi përfitimeve të prekshme nga Karta e Studentit për shpenzime bazike të ushqimit, mjeteve mësimore & librave, përmes subvencionimit nga Bashkia dhe zgjerimi partneritetit me sektorin privat (ndërveprimi me një rrjet më të madh biznesesh, jo vetëm ato që kanë çmime të larta, që janë të papërballueshme për buxhetin e studentëve).

- Shërbim online për kartën e transportit të studentëve, që të zgjidhet problemi i rradhave në pikat e shërbimit.

- Aksesi i aboneve të studentit gjatë gjithë muajve të vitit (duke përfshirë dhe periudhën e pushimeve verore).

- Zgjerim i skemave të granteve & mbështetjes për sipërmarrjet rinore start- up dhe inovacionin.


- Hapje e tre Qendrave Rinore me shërbime të këshillimit, kurse profesionale, hapësira bibliotekash & studimi.


- Transformimi i Qytetit Studenti në një hapësirë të standarteve europiane të jetës studentore, duke përfshirë ngritjen e një kompleksi sportiv dhe një qendre të teknologjisë & inovacionit.

- Aktivitete kulturore me fokus rininë.

- Wi-fi gratis për të gjithë studentët, me akses nëpërmjet ID të studentit.


16. Fëmijët
çerdhe, kopshte & shkolla


- Heqja e fëmijëve që lypin nga rruga.

- Jetëzimi i shkollave falas me të ardhurat e Bashkisë nga Taksa e Arsimit, për shkollat 9-vjeçare. Organizimi i aktiviteteve pas-shkollore dhe bërja e detyrave të fëmijëve me asistencën e mësuesve në mënyrë të tillë që programi të mbyllet në orën 17.30.

- Të organizohen garat dhe konkurset në lëndë të ndryshme midis shkollave.

- Ndërtimi i institucioneve të arsimit parashkollor & fillor në komunitete, që sot e vuajnë mungesën e tyre, përfshirë zonën e Unazës së Re, Yzberisht, “Fresku”, Kopshti Zoologjik.

- Mbështetje e shtuar për nënat dhe baballarët, që kujdesen vetëm për fëmijët.


- Garantimi i standarteve të ngrohjes, përmes rikualifikimit të godinave për efiçiencë termike & pajisjes me panele diellore.


- Subvencionimi i transportit publik me mini- buse për nxënësit e shkollave fillore.

- Ndërtimi i një Parku të Madh të Lojërave & të mini-parqeve në brendi të lagjeve.


17. Sporti


- Sistemimi dhe rritja e standarteve të fushave & hapësirave sportive në shkolla, të hapura për komunitetin pas orarit mësimor, me pagesë simbolike për mirëmbajtjen.

- Rikthimi i traditës së kompeticioneve sportive mes shkollave, duke përfshirë futbollin, basketbollin & volejbollin.

- Rikualifikimi me standarte të faciliteteve të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, duke ruajtur të paprekur këtë kompleks arkitektonik, ikonë për Tiranën.

- Krijimi i Qendrës Multi-Disiplinore të Sporteve, me hapësira për Federatën Shqiptare të Shahut & një sërë federatash dhe klubesh sportive.

- Krijimi i terreneve multi-sportive në zonat urbane dhe rurale, në partneritet me federatat respektive.



Lexoni faqen time wikipedia